Të Fundit
Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.)

Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.)

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografinë e tij kam mësuar që të mos dëshpërohem dhe mos ta humbas besimin në asnjë njeri, sepse udhëzimi, ashtu sikur edhe mashtrimi, janë më afër për njeriun sesa lidhëza në këpucën e tij. Omeri pak ishte vonuar me pranimin e Islamit, por ai i tejkaloi të tjerët në vepra të mira.

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se besimtari tregon një edukatë dhe përulësi të jashtëzakonshme në raport me Allahun. Pejgamberi (savs), iu lut Allahut që ta ndihmojë Islamin dhe ta bëjë atë krenar përmes Omer ibn Hattabit, dhe Allahu ia pranoi lutjen. Megjithatë, Omeri edhe më pas, për shkak të edukatës dhe edebit tij, thoshte: “Ne jemi një popull që Allahu i ka dhënë krenari në Islam dhe sa herë që kemi kërkuar krenari jashtë Islamit, Allahu na ka poshtëruar.”

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se ushtarët e Islamit lindin përnjëherë. Hazreti Omeri, sapo e përqafoi Islamin, e pyeti Pejgamberin (savs): “O i Dërguari i Allahut, a nuk jemi në të vërtetën dhe, a nuk janë idhujtarët në rrugë të gabuar?” “Po,” iu përgjigj Pejgamberi (savs). Atëherë Omeri i tha: “Atëherë pse po lejojmë poshtërimin e fesë sonë? Pasha Allahun, unë do të dal ta predikoj publikisht Islamin.” Pranimi i Islamit nga Omeri, në fakt, ishte fitore e Islamit.

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se ka robër të ndershëm të Allahut, përmes gjuhës së të cilëve konfirmohet e vërteta e Allahut. Omer ibn Hattabi ishte njëri prej tyre. Mendimi i tij dhe propozimet e tij për ndalimin e alkoolit, qëndrimi i tij ndaj të burgosurve, si dhe qëndrimi mbi mbulimin e grave muslimane, të cilat i ka thënë në Tokë, Allahu i ka konfirmuar me shpalljen nga qielli, përkatësisht, me ajetet me të cilat ndalohet alkooli dhe urdhërohet hixhabi, të cilat do të lexohen deri në Ditën e Gjykimit.

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se njeriu i lirë nuk është dhe nuk mund të jetë i kënaqur me shtypjen e të tjerëve, pavarësisht besimit të tyre, dhe se ne duhet të sillemi bukur me njerëzit, ndërsa vendimin përfundimtar t’ia lëmë Allahut të Plotfuqishëm. Kanë mbetur të paharruar fjalët e tij drejtuar njërit nga guvernatorët: “Prej kur i ke dhënë vetes të drejtën për t’i robëruar njerëzit, kur nënat i lindin të lirë.”

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se nuk është turp të gabohet, por është turp në mëkate të vazhdohet. Një grua plakë e varfër ia mësoi Omerit një leksion në menaxhim, kur ajo duke mos ditur se ishte ai, i tha: “Omeri e ka marrë mbi vete pushtetin dhe kujdesin tonë, por e ka lënë pas dore!”

Halifi Omer nuk i tha asgjë asaj, por shkoi në shtëpi dhe mori para, pastaj u kthye dhe ia gatoi plakës darkën. Në mëngjes ia bleu të gjitha furnizimet që të shpaguhej, edhe pse në fakt nuk i kishte bërë ndonjë të keqe. Mirëpo, ai që e do dhe e dëshiron drejtësinë, ai e akuzon vetveten para të tjerëve, veçanërisht nëse është në një funksion të tillë të përgjegjshëm siç ishte Omer ibn Hattabi.

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se besimtari i vërtetë mendon se është përgjegjës për atë që Allahu ia ka besuar, dhe ai nuk qetësohet derisa ta plotësojë amanetin e besuar. Prandaj, nuk është çudi që hz. Omeri ka thënë: “Nëse një kafshë e thyen këmbën në brigjet e Eufratit, kam frikë se për të, do të më pyes Allahu në Ditën e Gjykimit: ‘O Omer, pse nuk ia ke rregulluar rrugën?”

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se pushteti është përgjegjësi dhe amanet, jo privilegj dhe nder. Halifi Omer, krahas të gjitha detyrave shtetërore, gjeti kohë që me bashkëshorten e tij ta ndihmojë një arab, gruaja e të cilit po lindte dhe nuk kishin askënd, ashtu siç gjeti kohë që me duart e tij t’i shërojë devetë të cilat ishin dhënë në emër të zekatit.

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se tubimi për të falur namazin me xhemat, është tubim që do të thotë jetë. Halifi Omer i tuboi dhe bashkoi muslimanët pas një imami për ta falur teravih – namazin, andaj Allahu i bashkoi zemrat e tyre nën udhëheqjen e Omer ibn Hattabit, që më pas ta marrin Persinë dhe Bizantin.

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se kriter për ardhje në pushtet është aftësia, dhe jo përshtatshmëria dhe nepotizmi. Kur dikush nga sahabët i sugjeroi Omerit që djalin e tij ta emëronte si pasues të tij, halifi i madh Omeri i thotë: “Mos të pastë nëna, këto janë fjalët me të cilat nuk dëshirohet kënaqësia e Allahut!”

– Faleminderit Omer ibn Hattabit (r.a.), nga biografia e tij kam mësuar se njeri vdes në atë që ka jetuar. Omeri jetoi në emër të Allahut dhe gjithë jetën ia kushtoi Islamit, andaj ashtu edhe e përfundoi jetën e tij. Ai ishte i respektuar tek Allahu dhe Allahu e nderoi atë me vdekje të shehidit duke lexuar Kuran.
I lumi ti, o sundimtar i drejtë, shehid i mihrabit, Omer ibn Hattabi!

Edhem Sherkavi; saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)