Të Fundit
Emërtimet e Kuranit Fisnik

Emërtimet e Kuranit Fisnik

Sipas një pjesë dërmuese të dijetarëve, Kur’ani i ka vetëm pesë emra të tij, ndërsa të emërtimet e tjera me të cilët emërohet Libri i fundit i Allahut, në esencë, janë përshkrime apo cilësime të tij. Megjithatë, ka një grup tjetër nga dijetarët të cilët mendojnë se Kur’ani ka më shumë emra të tij, sikur që janë emërat e nxjerrur, gjegjësisht atributet e tij.

Libri i fundit i Allahut veçohet me këtä emra:

  1. Kur’an. Ky është emri më specifik dhe i parë i shpalljes së fundit të Allahut tek njerëzit. Ky emër i lartë tregon mbi librin i cili do të lexohet (mësohet) shumë dhe i cili do të jetë i tubuar në një përmbledhje. “ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra, 9.)
  2. Shpallje e shkruar dhe e përmbledhur në një libër. “Ne ua kemi shpallur Librin (Kitabin), i cili është këshillë dhe lavdi për ju. Vallë a nuk po kuptoni? (Enbija, 10).
  3. Libri i cili e ndanë të vërtetën nga e gënjeshtra, rruga e drejtën e drejtë nga e devijuara, dritën nga errësira, të mirën prej të keqes, të lejuarën nga e ndaluara. “I lartësuar është Ai, që ia shpalli Furkanin (Kur’anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhammedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues). (Furkan, 1).
  4. Libër i shpallur gradualisht. Libër i cili është lëshuar prej një lartësie drejtë një vendi më të ulët, respektivisht i lëshuar nga lartësitë e Allahut në botën e njeriut.E edhe ai (Kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve.” (Esh-Shu’ara, 192).
  5. Libër i cili tërheq vërejtjen dhe zgjon vetëdijen. “Ne, me të vërtetë, kemi shpallë Kur’anin (dhikrin) dhe ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë.” (Hixhr, 9). Emërtimet e tjera të Kur’anit mund të jenë emra të tij të përveçëm, sikur këta që i përmendëm deri më tani, (sipas një pjesë të madhe të autorëve), miëpo mund të jenë edhe të nxjerrur, gjegjësisht atribute (sipas disa të tjerëve).
  6. Burhan – Libër i cili përmban argumente të pakontestueshme.
  7. Nur – Libëri i dritës së Allahut dhe Drita e Allahut që ua dritëson njerëzve rrugën. “O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë.” (En-Nisa, 174).
  8. Bejan – Libër i kumtues, manifest dhe argument i qartë.
  9. Huda – Libër rekomandues për organizimin e jetës. Udhëzim për jetën në tokë. Platformë dhe udhëheqje.
  10. Mev’idha – Libri i këshillës dhe rekomandimit. “Ky (Kur’ani) është sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë (mev’idha) për të devotshmit.” (Ali Imran, 138).
  11. Tedhkiret – Libri i cili vazhdimisht ia kujton njeriut të vërtetën dhe vlerat, për të cilat njeriu gjithherë duhet të jetë i vetëdijshëm. “Kjo, me të vërtetë, është këshillë, e kush të dojë, ndjek rrugën që shpie te Zoti i tij.” (Insan, 29).
  12. Belag – Libër i njoftimeve dhe lajmërimeve. “Ky (Kur’an) është shpallë për njerëzit, dhe me të të paralajmërohen ata, që ta dinë se Ai është i vetmi Zot, dhe për t’u këshilluar njerëzit e mençur.” (Ibrahim, 52).
  13. Aziz – Libër i fuqishëm. “Me të vërtetë, ai është një libër ngadhnyes (aziz). (Fussilet, 41).
  14. Beshir – Libër i lajmeve të mira, të gëzueshme.
  15. Nedhir – Libër që qorton. “(Ky Kur’an) është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre ia kthyen shpinën, andaj ata nuk dëgjojnë.” (Fussilet, 4).
  16. Bushra – Libër përgëzues. “(Ajetet e Kur’anit) janë udhërrëfyes dhe myzhde për besimtarët.” (Neml, 2).
  17. Besair – Libër me vlera që qëndrojnë përpara syve (vlera të dukshme).
  18. Mëshirë – Libër në të cilin është njoftuar dhe tregohet për mëshirën e Allahut ndaj njeriut. “Ky (Kur’ani) është dritë e dijes për njerëz, është udhëzues e mëshirë për një popull që beson bindshëm.” (Xhathije, 20).
  19. Lajm i madh – “Për çka ata i bëjnë pyetje njëri – tjetrit? Për lajmin e madh e tronditës.” (En-Nebe’, 1-2).
  20. Libër i begatshëm (mubarek) – “(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad, 29).
  21. Shifa – Libër që shëron.Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.”. (Isra, 82).

[Kur’ani flet për vetveten]

Më së miri për vetveten flet vet Kur’ani fisnik. Ja disa ajete që flasin për përmbajtjen e mrekullueshme të tij dhe për esencën e qëllimit të dërgimit të tij tek njerëzit:

– “…mua më është shpallur ky Kur’an që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në ditën e kijametit).” (El-En’am, 19).

– “Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve.” (Junus, 37).

– “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (Isra, 9).

– “Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin.” (El-Isra, 88).

– “Ne u sollëm atyre (mekasve) një libër (Kur’anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë.” (El-A’raf, 52).

– “Elif Lam Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (El-Bekare, 1-2).

– “Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar.” (El-Kehf, 54).

– “Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur’anin).” (El-Bekare, 121).

– “Në Libër asgjë nuk kemi lënë mangut.” (El-En’am, 38).

– “Ne ty ta shpallëm Librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” (En-Nahl, 89).

[Muhammedi a.s. flet për Kur’anin]

Pasi që e pamë se çfarë thotë Allahu i Lartësuar për Librin e Tij, atëherë le të shikojmë pak se çfarë thotë Muhammedi a.s., në lidhje me Kur’anin.

Sipas rivajetit të Ed-Darimijut, dhe me pak dallime shprehimore edhe tek Tirmidhiu, përcillet se El-Harith El-Hamedani ka thënë: “Një ditë, hyra në mesxhid dhe pash se si njerëzit debatonin thellë për disa tema, dhe shkova te Aliu r.a. ku i thash: “A nuk i shesh se si njerëzit debatojnë për disa tema në mesxhid?” Ai ma ktheu: Vërtetë ashtu veprojnë?” I thash: Po, pikërisht ashtu.” Me ç’rast hz. Aliu r.a. u përgjigj: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. të ketë thënë: “Do të vijnë sprova dhe mundime të mëdha.” E unë e pyeta: Po, cila është rrugëdalja?” “Libri i Allahut” – mu përgjigj ai. Tek ai e gjeni atë që qëndron përpara jush dhe atë që ka ndodhur më herët, si dhe gjykimin për atë se çfarë ndodh midis jush. Ai është një libër i saktë dhe mirë i klasifikuar, ndërkohë që nuk është aspak i çrregulluar, dhe kështu duhet të jetë qasja ndaj tij.Kushdo që e braktis atë prej udhëheqësve, Allahu ndaj tyre ka për t’u hakmarrë. Kush kërkon udhëzim prej dikujt tjetër, e jo prej tij, Allahu ka për ta lënë atë në lajthitje. Ai është litari i fortë i Allahut xh.sh., është këshilluesi i urtë dhe rruga e drejtë. Ai është i tillë që nuk lejon që të lajthitin dëshirat dhe pasionet, e as që mund me të të devijojnë gjuhët dhe të gënjehet. Me Kur’anin, shkencëtarët nuk kanë se si të ngopen, e ai assesi ta humbë forcën dhe të pengohet nga kundërshtimet. Mrekullitë e Kur’anit dhe admirimi ndaj tij nuk ka mbaruar. Ai është i tillë, sa që edhe xhinët kur e patën dëgjuar, nuk patën tjetër veçse të thonë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit dhe magjeps”. Ai është i tillë që, kush flet në bazë të Kur’anit – të vërtetën e ka thënë, kush gjykon me të – drejt ka gjykuar, kush vepron me të – do të shpërblehet, e kush fton për tek ai – ai ka udhëzuar në rrugën e drejtë.”

Përmbajtja themelore e Kur’anit mund të përmblidhet në këto pika:

  1. Mësimi se Allahu është një dhe i vetëm. Nuk ekziston asgjë që do të ishte i ngjashëm dhe i barabartë me Të. Është Krijuesi i çdo gjëje dhe posedon gjithçka, i sheh dhe i dëgjon të gjitha gjërat, si dhe është i informuar për secilën gjë. Është pranë secilit dhe gjithkujt i është dëshmitar. Atij, të gjithë, do t’i kthehen, pasi çdo gjë është kalimtare, pos Tij, i cili është i përgjithmonshëm. Ai ka për t’i informuar njerëzit për tërë atë që kanë vepruar.
  2. Mësimi mbi botën, që donë të thotë se atë e ka krijuar Allahu dhe është vetëm e Tij. Në këtë botë të gjithë kanë fillimin dhe fundin e tyre. Mësimi rreth rolit të njeriut në këtë botë. Fillimi dhe fundi i tij, si dhe kuptimi i jetës së njeriut në tokë. Mësimi rreth shkallës së përgjegjësisë së njeriut në botë. Krahas kësaj botë që e shohim, Allahu xh.sh., në Kur’anin fisnik, na ka informuar se ekziston edhe një botë tjetër që nuk e shohim (gajb). Këtu përfshihen edhe krijesa të tjera, sikur që janë melaqet, xhinët, Xhenneti, Xhehennemi, ringjallja, gjykimi, etj.
  3. Mësimi rreth pejgamberëve dhe popujve për të cilët qenë dërguar. Rreth librave dhe përmbajtjeve të tyre, që të dërguarit e Zotit ua përcollën popujve të tyre.
  4. Sistemi ligjor i Kur’anit është Sheriati. Ky është ligji i Allahut, me të cilin Ai rregullon raportet ndërmjet botëve, sikur që rregullon raportet edhe ndërmjet njerëzve.
  5. Plani social i Kur’anit, me të cilin rregullohen raportet shoqërore dhe sociale midis gjinisë njerëzore.
  6. Plani etik i Kur’anit, me të cilin rregullohen raportet etiko-morale midis njerëzve.

(Shkëputur nga libri: Tefsiri, libër mësimi për Medresetë, Botues: El-Kalem, Sarajevë, 2000. Autor: Zijad Ljevakoviq).

Përktheu: Mehas Alija (Islampress)