Të Fundit
DITA E ASHURES: DITA E MUSAUT A.S. APO DITA E HUSEJNIT R.A. ?

DITA E ASHURES: DITA E MUSAUT A.S. APO DITA E HUSEJNIT R.A. ?

Historia e njerëzimit është e mbushur me beteja në mes të vërtetës dhe të pavërtetës, në mes të drejtës dhe të padrejtës, në mes të mirës dhe të ligës, në mes besimit dhe mosbesimit.

Një nga këto histori për të cilën na ka folur edhe Allahu në Kuran është historia e Musait (alejhi selam) me Faraonin e Egjiptit. Allahu pasi e bëri Musain Profet dhe i ngarkoi këtë barrë të rëndë, e dërgoi atë te Faraoni, për t’i kërkuar dy gjëra. E para që ai të besonte, pra t’i largohej shirkut, mos të adhuronte tjetër kë veç Allahut dhe të mos e konsideronte veten më si Zot në mes njerëzve dhe së dyti, të lejonte Musain që të largohej me popullin e tij nga toka e Egjiptit. Por, Faraoni me mendjemadhësinë dhe arrogancën e tij nuk pranoi as njërën dhe as tjetrën, përkundrazi, i mbylli sytë para mrekullive që Allahu i tregoi nëpërmjet duarve të Musait dhe vazhdoi me shtypjen dhe dhunën që ai ushtronte ndaj popullit të Musait.

Allahu atëherë e urdhëroi Musain që natën ai të merrte popullin e tij dhe të largohej nga ai vend. Musai duke iu bindur urdhrit të Zotit të tij kështu bëri. Ai organizoi popullin e tij dhe u nis për rrugë. Por, natyrisht nuk është e lehtë të udhëtosh me mijëra njerëz në një natë të vetme pa u ndjerë dhe u marrë vesh nga të tjerët. Kështu pra Faraoni me ta marrë vesh seç po ndodhte mobilizoi ushtrinë e tij që t’i vihej në ndjekje Musait dhe popullit të tij, për t’i kthyer ata mbrapsht.

Në rrugë e sipër ata u gjendën përpara detit, nga ku nuk kishte rrugë tjetër ku mund të devijonin për në synimin e tyre, përpara qëndronte deti dhe pas tyre vinte Faraoni me ushtrinë e tij. Çifutët, populli i Musait, filluan t’i ankohen atij për situatën e krijuar, por ishte Allahu i Madhëruar, Ai që i kishte nxjerrë ata nga ai vend dhe jo Musai, ndaj Ai nuk kishte për t’i braktisur ata.

Allahu hapi para tyre një rrugë në det, duke i ngritur valët e tij si të ishin male dhe urdhëroi Musain dhe popullin e tij të kalonte nëpër të. Dhe kështu u bë. Faraoni nga ana e tij, që edhe njëherë tjetër po shihte me sytë e tij një nga mrekullitë e Allahut, përsëri nuk u bind, por u vu në ndjekje të tyre në mes të detit nëpër të njëjtën rrugë nga e kaloi Musai popullin e tij. Por, Allahu e mbylli këtë rrugë në det, shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e mbyti Faraonin bashkë me ushtrinë që shkonte nga pas. I tillë do të jetë përfundimi i të gjithë atyre që ngrenë krye kundra Zotit të krijesave.

Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht në dhjetë Muharem, pra në ditën e dhjetë të muajit hënor Muharem, ndaj dhe kjo ditë quhet dita e Ashures, që në gjuhën arabe do të thotë e dhjeta, pra dita e dhjetë.

Kur Profeti (alejhi salatu ue selam) emigroi në Medinë, ai pa se çifutët agjëronin në këtë ditë, sepse Musai (alejhi salatu ue selam) e agjëronte këtë ditë, si shenjë mirënjohje ndaj Allahut. Profeti (alejhi salatu ue selam) vendosi ta agjëroj këtë ditë duke ndjekur shembullin e vëllait të tij profet, Musait dhe jo çifutët, sepse myslimanët janë më afër Musait sesa vetë çifutët, që pretendojnë se janë ndjekës të Musait. Agjërimi i kësaj ditë, siç përcillet nga fjalët e Profetit (alejhi salatu ue selam), shlyhen gjynahet e një viti më parë; që me agjërimin tonë si myslimanë të mos ngjajmë me çifutët, është mirë që bashkë me ditën e Ashures të agjërojmë një ditë para ose një ditë pas kësaj dite.

Dita e Ashures është ditë agjërimi, pra ditë adhurimi dhe nuk është ditë feste dhe as ditë hidhërimi.

E themi këtë sepse po në këtë ditë është vrarë padrejtësisht edhe Husejni (radijallahu anhu), nipi i Profetit (alejhi salatu ue selam), djali i Fatimesë dhe Aliut (radijallahu anhuma), në vendin e quajtur Kerbela (Qerbela) duke luftuar me njerëz zullumqarë që kishin dalë ta ndalnin rrugëtimin e tij për në Kufe të Irakut dhe për ta detyruar tu nënshtrohej kërkesave të tyre.

Mirëpo kjo ngjarje, tepër e dhimbshme në historinë islame, nuk mund të shërbej për tu shndërruar në një ditë zie, apo përkujtimesh mortore.

Kjo ditë nuk është ditë kur njerëzit duhet të vënë kujën dhe të gjakosen me kama dhe zinxhirë, si pendesë për një krim që nuk është kryer prej tyre.

Nëse ka fatkeqësi vdekjeje më të madhe për myslimanët, ajo është vdekja e Profetit tonë (alejhi salatu ue selam), e megjithatë askush nga ne nuk e kthen këtë ditë hidhërimi në një ditë përkujtimi zie dhe skenash makabre, që të vjen turp t’i shohësh.

Vdiq Ebu Bekri, Umeri, Osmani dhe Aliu u vranë nga armët gjakatare të njerëzve të padrejtë, por umeti islam nuk i shndërroi ditët e vdekjes së këtyre burrave, shumë më të rëndësishëm sesa Husejni (radijallahu anhu), në ditë zie dhe ditë ku më shumë se asnjëherë tjetër shëmtohet imazhi i Islamit para syve të gjithë botës, nga njerëz të cilët për fat keq pretendojnë se janë ndjekës dhe dashamirës të familjes së Profetit (alejhi salatu ue selam), por që në realitet rruga e tyre është shumë larg rrugës së tyre.

Por, natyrisht është po ashtu e gabuar, që si kundërshtim ndaj këtyre veprimeve që nuk gjejnë mbështetje në fenë tonë, të bëjmë të kundërtën, duke gëzuar dhe festuar! Kjo është një ditë adhurimi dhe kaq mjafton, ndërsa ngjarjet që kanë përkuar të ndodhin në këtë ditë, janë pjesë e historisë, për të cilat ne nuk mund të sajojmë dhe shpikim kremtime mortore apo festive bidat, sepse çdo bidat në fe, siç pohon Profeti (alejhi salatu ue selam) është humbje.

Përgatiti: Justinian Topulli