Të Fundit
Dashuria për Profetin a.s

Dashuria për Profetin a.s

Këtë temë dua ta filloj me një pyetje të cilën ta drejtoj ty lexues i nderuar: A e do Profetin a.s? A të merr malli për të? A uron dhe lutesh që një ditë të takohesh dhe ta përqafosh?

Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

Nëse do të jetoje në kohën e Profetit a.s, a do të sakrifikoje ashtu siç sakrifikuan shokët e tij dhe myslimanët e parë? Nëse po, thuaje me gjithë zemër. Thuaj “po” do të sakrifikoja si Bilali, Sad ibnu Muadh dhe shumë të tjerë. A do të dëshiroje ta shohësh me sy Profetin a.s, të ulesh dhe të bësh muhabet me të?

Fytyra e tij ishte e bardhë e përzier me pak të kuqe dhe i shkëlqente si dritë.

Xhabir ibnu Abdilah tregon:”Një natë me hënë, po ecja në rrugët e Medines. Teksa po ecja vështroja hënën, e cila mbushte sytë e mi me bukurinë e saj. Nga drejtimi që ishte hëna, papritur shfaqet Profeti a.s duke ardhur drejt meje. Unë herë fillova të shikoj nga hëna dhe herë nga fytyra e Profetit a.s. Për Zotin, i dërguari i Zotit në sytë e mi, dukej më i bukur se vetë hëna.”

Abdullah ibnu Selam, një nga çifutët e Medines thotë:”Kur dëgjova që Muhamedi kishte mbërritur në Medine, përgatita një sërë pyetjesh për ta provuar nëse është i dërguar i Allahut apo jo. Por me të dalë para tij dhe me ta parë në fytyrë, me vete thashë:”Ky është profet i Zotit.”

Tregojnë shokët e Profetit a.s:”Kur buzëqeshte i dërguari i Allahut, dukej si një copë hëne.”

A do të doje t’i japësh selam, t’i japësh dorën dhe të uleshe me të?

Tregon Enes ibnu Malik:”Nuk kam prekur mëndafsh më të butë se pëllëmba e të dërguarit të Zotit a.s.”

A do të doje të të përqafojë dhe të ndjesh aromën e tij?

Tregon Enes ibnu Malik:”Nuk kam nuhatur parfum më të mirë se aroma e trupit të Profetit a.s.”

Ajeti i mësipërm ta lehtëson më shumë të përfytyrosh anën shpirtërore të Profetit a.s. “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

Le ta shohim këtë ajet të mishëruar në ndodhitë e Ditës së Kiametit. Në çdo ngjarje të frikshme të asaj Dite, do të gjesh të dërguarin e Zotit përkrah teje duke të dhënë zemër dhe duke të ndihmuar.

Thotë Profeti a.s:”Unë jam njeriu i parë të cilit do i hapet varri Ditën e Kiametit. Unë do të jem ndërmjetësi i parë dhe i pari të cilit do i pranohet ndërmjetësimi.”

Pas ringjalljes, njerëzimi do të qëndrojnë për pesëdhjetë mijë vite në atë gjendje, lakuriqë, të zbathur, të pangrënë dhe të pa pir, të mbytur në djersë sipas gjynaheve që kanë vepruar. Të dëshpëruar nga kjo gjendje, njerëzit do të vihen në lëvizje dhe do të kërkojnë dikë që të ndërmjetësojë tek Zoti, me qëllim që të fillojë llogaria dhe t’i jepet fund asaj gjendjeje. I gjithë njerëzimi, myslimanë dhe jomyslimanë, hebrenj dhe të krishterë, besimtarë dhe jobesimtarë, do të nisen tek babai i tyre, Ademi a.s. Me t’u takuar me të, do i thonë:”O babai i njerëzimit! Shko ndërmjetëso tek Zoti ynë që të fillojë llogaria.”

Por përgjigja e Ademit a.s do të jetë:”Sot jam i preokupuar veç për veten time. Veç kësaj, kam ngrënë dhe nga pema të cilën ma ndaloi Zoti dhe tani më vjen zor. Shkoni dhe kërkojani Nuhut a.s këtë nder.”

E gjithë njerëzia do të shkojnë tek Nuhu a.s dhe do i thonë:”O Nuh! O ti që të shpëtoi Zoti nga përmbytja! Shko dhe ndërmjetëso tek Zoti që të fillojë llogaria!”

Nuhu do u përgjigjet:”Sot jam i preokupuar me veten time. Veç kësaj, i kam kërkuar një herë Zotit diçka që nuk duhej ta kisha kërkuar. Shkoni tek Ibrahimi a.s dhe ia kërkoni atij këtë nder.”

Do të shkojnë tek Ibrahimi a.s dhe ai do u përgjigjet:”Sot jam i preokupuar me veten time. Veç kësaj, kam gënjyer tre herë dhe më vjen zor prej Zotit t’i kërkoj diçka. Shkoni tek Musai dhe ia kërkoni atij këtë nder.”

Kur të shkojnë tek Musai a.s, ai do u thotë:”Sot jam i preokupuar me veten time dhe kam vrarë një njeri. Por shkoni tek Isai a.s!”

Por edhe Isai u thotë se është i preokupuar me veten e tij dhe i këshillon të shkojnë tek profeti Muhamed a.s, pasi është një njeri të cilit Zoti ia ka falur të gjithë gabimet e kaluara dhe të mëvonshme.

E gjithë njerëzia do të nisen për tek profeti Muhamed a.s, i cili me të dëgjuar hallin e tyre, si asnjë profet tjetër përgjigjet:”Unë jam për këtë, unë jam për këtë.”

Thotë Profeti a.s:”Do të shkoj dhe do të qëndroj në të djathtën e Arshit, vend që ma kanë zili të parët dhe të fundit. Më pas do të bie në sexhde poshtë Arshit dhe do e falënderoj Zotin me falënderime që kurrë nuk i ka bërë njeri më parë. Zoti do të më thotë:”O Muhamed! Ngrije kokën, kërko të të jepet dhe ndërmjetëso që të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë do i them:”O Zot! Më ke premtuar se do e pranosh ndërmjetësimin tim, prandaj unë të kërkoj që të fillosh llogarinë.”

Ndërmjetësimi i Profetit a.s pranohet dhe menjëherë fillon llogaria.

Me të drejtë dikush mund të pyesë: Përse njerëzia nuk shkon menjëherë tek profeti Muhamed a.s që të ndërmjetësojë për fillimin e llogarisë?

Kalimi nga një profet tek tjetri derisa arrijnë tek profeti Muhamed a.s, bëhet me qëllim që t’i shtohen vlerat. Nëse do të shkonin direkt tek profeti Muhamed a.s, dikush mund të mendojë se ndërmjetësimin mund ta bëjnë edhe profetë të tjerë.

Një pyetje tjetër që mund të lindë nga hadithi i mësipërm është: Përse asnjë nga profetët as nuk përpiqet që t’i kërkojë Zotit të fillojë llogarinë?

Kjo sepse secili prej tyre e di se çfarë pozite gëzon tek Zoti i madhëruar.

Një e veçantë e kësaj ndodhie është se ajo i bashkon të gjithë njerëzit rreth një shqetësimi të përbashkët. Është hera e parë që njerëzimi bashkohet rreth një objektivi të përbashkët dhe shpresa e vetme për realizimin e këtij objektivi është profeti Muhamed a.s. Ajo që është edhe më e veçantë është se profeti që i orienton njerëzit të kërkojnë ndihmën e profetit Muhamed a.s, është Isai a.s (Jezusi). Madje profeti Isa a.s jep edhe një vlerësim për profetin Muhamed a.s ku thotë:”Ai është një njeri të cilit Zoti ia ka falur të gjithë gabimet e kaluara dhe të mëvonshme.”

A e imagjinoni dot gëzimin dhe ngazëllimin e njerëzimit, kur të dëgjojnë profetin Muhamed a.s të thotë:”Unë jam për këtë, unë jam për këtë!” A e ndjeni se një status i tillë është nder për Profetin tonë? A e ndjen sa madhështor dhe fisnik është Profeti ynë, kur i lutet Zotit me fjalët:”Pranoje ndërmjetësimin tim për krijesat e tua!” dhe nuk i thotë vetëm për myslimanët? A e kuptoni tani që profeti Muhamed a.s është mëshirë për mbarë njerëzimin, edhe për jobesimtarët?

Atë Ditë, Profeti a.s do të ngrejë flamurin e mirënjohjes. Thotë Profeti a.s:”Rreth meje do të bashkohen shumë njerëz, bashkë me ta edhe profetët e parakaluar. Por këtë nuk e them për t’u mburrur.”

Thotë Profeti a.s në një hadith tjetër:”Mu paraqitën popujt që do të tubohen para Zotit Ditën e Kiametit. Pashë profetë që kishin një grup njerëzish rreth tyre. Pashë profetë të tjerë me dhjetë njerëz. Pashë profetë të tjerë vetëm me pesë ndjekës. Pashë profetë të tjerë me dy burra. Pashë profetë të tjerë që nuk kishin asnjë ndjekës dhe pasues. Unë thashë:”O Zot! Ku është umeti im?!” Atëherë dëgjova një zë që më tha:”Shih nga horizonti!” Unë pashë dhe dallova një turmë të zezë dhe të madhe. Nga gëzimi thërrita me të madhe:”Qenka umeti im, qenka umeti im!” Por më thanë që ky është Musai dhe populli i tij.” Atëherë sërish thashë:”O Zot! Po umeti im!” Më thanë që të shoh nga ana tjetër e horizontit dhe pashë një turmë të madhe dhe të zezë. Dëgjova një zë që më tha:”Ky është umeti yt dhe me ta janë shtatëdhjetë mijë që do të hyjnë në xhenet pa llogari.” Mua mu dukën pak shtatëdhjetë mijë dhe i kërkova Zotit që t’i shtojë. Zoti ma pranoi këtë kërkesë dhe për çdo një mijë, shtoi shtatëdhjetë mijë të tjerë.” Atëherë më pyetën:”A je i kënaqur o Muhamed?” Unë thashë:”Po o Zot.”

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

Ditën e Kiametit etja do të jetë shumë e madhe. Thotë Profeti a.s:”Atë Ditë do të vendoset Hauzi im, prej të cilit kushdo që pi një gllënjkë ujë, nuk do të ndjejë etje kurrë. Minderi im do të jetë i vendosur mbi Hauz.”

Profeti a.s do u japë të pijnë ujë të gjithë pasuesve dhe pjesëtarëve të umetit të tij. Do të jetë hera e parë që do të takohemi me Profetin a.s. Dikush prej nesh do të shkojë të pijë ujë direkt nga Hauzi, por Profeti a.s do i thotë:”Jo, do të të jap unë me duart e mia.” Ai do i mbushë duart me ujë dhe do të ofrojë të pish. Vallë a do të ndihet i gëzuar që të pa? A do të të përqafojë?

Thotë Profeti a.s mbi ujin e Hauzit:”Ai është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Gotat janë sa numri i yjeve në qiell. Kushdo që pi ujë prej këtij Hauzi, nuk do të ndjejë kurrë etje.”

Për të pirë ujë nga Hauzi i Profetit a.s do të shkojnë edhe disa njerëz, por melekët do t’i largojnë, pa i lejuar të pijnë. Profeti a.s do i shohë dhe do u thotë: “Lëreni, pasi dhe ata janë nga ummeti im!”

Por melekët do përgjigjen: “Jo, o Muhamed, pasi ti nuk e di se ç’farë kanë vepruar pas teje.”

Atëherë Profeti a.s do të thotë:“Larg, larg prej këtu.”

Në çdo stacion të vështirë nga stacionet e Ditës së Kiametit, do të gjesh Profetin a.s duke ndihmuar umetin e tij dhe duke u dhënë zemër. Në çastet kur të kalojmë mbi urën e Siratit, Profeti a.s do të vijë aty pranë dhe do të lutet:”O Zot shpëtoji! O Zot shpëtoji!”

Ndërkohë që të gjithë profetët e tjerë dhe i gjithë njerëzimi luten:”Vetja ime, vetja ime” atë Ditë, vetëm një person nga gjithë njerëzimi, profeti Muhamed a.s, do të lutet për umetin e tij.

Me të kaluar urën e Siratit, profeti Muhamed a.s do e presë umetin e tij në cepin tjetër, pranë derës së xhenetit. Të gjithë popujt dhe umetet që kanë shpëtuar nga zjarri i xhehenemit, do të fillojnë të grumbullohen pranë derës së xhenetit. Aty do të jetë Ademi a.s, Nuhu a.s me ndjekësit e tij, Daudi a.s, Sulejmani etj… të gjithë para derës së xhenetit, të cilën e gjejnë të mbyllur. Të hutuar dhe të lodhur, fillojnë të kërkojnë dikë që të hapë derën. Shkojnë tek babai i gjithë njerëzimit, Ademi a.s, por Ademi a.s i kthen mbrapsht, duke u thënë që “Unë nuk mundem t’ua hap derën”. Atëherë shkojnë tek profetët e tjerë, por të gjithë u japin të njëjtën përgjigje. Derisa vjen Profeti Muhamed a.s, i cili thotë:“Unë jam ai që e hap!” dhe troket për herë të parë mbi derën e xhennetit. Nga brenda dëgjohet zëri i melekut që pyet se kush është. “Jam Muhamedi i biri i Abdullahut” - ia kthen Profeti. “Më ka urdhëruar Zoti që të mos ia hap kujt,veç teje” – thotë meleku dhe e hap derën.

Me t’u hapur dera e xhenetit, Profeti a.s do të marrë për dore dhe do të çojë tek kështjella dhe pallati yt në xhenet.

Por roli dhe kontributi i tij nuk ka mbaruar me kaq. Ai mendon edhe për ata besimtarë myslimanë të umetit të tij që kanë hyrë në zjarr për t’u dënuar për gjynahet që kanë vepruar.

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

Thotë Profeti a.s:”Shembulli im është si shembulli i një personi që ndez një zjarr të madh. Me t’u ndezur zjarri dhe t’u bërë i madh, fluturat fillojnë të bien në të dhe të digjen. Ai përpiqet t’i largojë dhe t’i mbrojë nga zjarri, por fluturat turren drejt tij. Unë do u kap për mesi ditën e Kiametit (që t’ju shpëtoj), kurse ju do të më shpëtoni.”

Për njerëzit që tashmë kanë përfunduar në zjarrin e xhehenemit për t’u dënuar, Profeti a.s thotë:”Do të hyjnë besimtarët në xhenet, por do të ketë njerëz nga umeti im që do të jenë në zjarr. Atëherë do të shkoj poshtë Arshit dhe do them:”O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do më thotë: O Muhamed, shko dhe nxirr nga zjarri” duke më caktuar një numër të caktuar. Do të shkoj, do i nxjerr, do i çoj në xhenet dhe përsëri do të thërras:”O Zot, umeti im, umeti im.” Zoti do të më caktojë një numër për t’i nxjerrë nga zjarri. Do të shkoj, do i nxjerr dhe përsëri do të shkoj poshtë Arshit dhe do të thërras: O Zot, umeti im, umeti im. Zoti do të më caktojë një numër që t’i nxjerr nga zjarri. Do të shkoj dhe do të nxjerr shumë prej tyre, por do të mbeten dhe shumë prej umetit tim në zjarr, por do më vijë zor që të shkoj dhe t’i kërkoj Zotit më shumë.

Atëherë do të shkoj sërish tek Arshi dhe do i them:”O Zoti im, umeti im, umeti im.” Zoti do më thotë: O Muhamed, shko dhe nxirr nga zjarri kë ka pasur sa një kokër elbi besim. Do të shkoj, do i nxjerr dhe përsëri do të thërras: O Zot, umeti im, umeti im. Zoti do të më thotë: O Muhamed, shko dhe nxirre nga zjarri kë ka pasur sa një thjerrëz besim. Do të shkoj, do i nxjerr dhe përsëri do të shkoj poshtë Arshit dhe do të thërras: O Zot, umeti im, umeti im. Zoti do të më thotë: O Muhamed shko dhe nxirr nga zjarri kë ka pasur besim sa një atom.”

Më pas Zoti do më pyesë:”A je i kënaqur o Muhamed?” Unë do përgjigjem:”Jam i kënaqur o Zot, jam i kënaqur.”

Ky është komenti i ajetit:”sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.” (Duha, 5)

Kur dikush e pyeti Profetin a.s:”Për kë do të ndërmjetësosh Ditën e Kiametit o i dërguar i Zotit?” Ai u përgjigj:”Për ata që kanë vepruar gjynahe të rënda nga umeti im.”

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Çdo profet ka pasur një lutje të pranueshme tek Zoti, të cilën e kanë bërë në dynja. Kurse unë e kam rezervuar këtë lutje për të ndërmjetësuar për umetin tim Ditën e Kiametit. Ajo do të përfshijë këdo që vjen Ditën e Kiametit dhe dëshmon me sinqeritet se nuk ka zot tjetër përveç Allahut.”

Profeti Sulejman a.s u lut:”O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35) dhe Zoti ia pranoi këtë lutje.

Profeti Nuh a.s u lut:” Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues.” (Nuh, 26) dhe Zoti ia pranoi këtë lutje.

Lutja e profetit Musa a.s ishte:”Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!” (Junus, 88) dhe Zoti ia pranoi këtë lutje.

Profeti Zekerija u lut:”

“Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Merjem, 5-6) dhe Zoti ia pranoi lutjen.

Kur Profeti a.s vajti në Taif, banorët e pritën me gurë, sharje dhe ofendime. Profeti a.s doli i plagosur me këmbët që i kullonin gjak. Meleku i maleve zbriti dhe e pyeti Profetin a.s:”A dëshiron që t’i bashkoj këta dy male dhe ta shkatërroj këtë popull?”

Profeti a.s iu përgjigj:”Jo, sepse shpresoj që pasardhësit e këtyre të bëhen besimtarë.”

Nëse do ishte përgjigjur “po” lutja do i ishte pranuar dhe ai vend do të ishte shkatërruar tërësisht. Lutjen e pranueshme nga Zoti, Profeti a.s e ka rezervuar për umetin e tij, ku pjesën më të madhe të tyre ai vetë nuk i ka parë me sy. Këtë lutje, ai nuk e bëri as për vajzën e tij të dashur Fatimen dhe as për dy nipat që i kishte si dritën e syve. Këtë lutje ai e ka vënë vetëm në shërbim të umetit mysliman.

Një ditë, Ebu Hurejre e pyeti Profetin a.s:”Kush do të gëzohet më shumë për ndërmjetësimin tënd Ditën e Kiametit o i dërguar i Allahut?”

Profeti a.s iu përgjigj:”Është ai që ka thënë “La ilahe il-lAllah” me zemër dhe sinqeritet të plotë.”

Thuaje edhe ti në këto çaste lexues i nderuar! Thuaje me zemër dhe sinqeritet të plotë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të lartësuar. Nëse e thua me kushtet e lartpërmendura, dije se ke hyrë tek ata të cilët përfitojnë nga ndërmjetësimi i Profetit a.s.

Vallë a ndjen mall dhe nostalgji për t’u takuar me të dërguarin e Zotit tani? A u prezantove më mirë me të? A të merr malli të ulesh përballë me të dhe t’i thuash:”Kjo dynja më ka lodhur o i dërguar i Allahut. Por lodhjet e mia nuk kanë të krahasuar me mundimet dhe lodhjen tënde. Unë jam përpjekur t’i qëndroj besnik rrugës tënde o Profet.”

Imagjinoji pak ato çaste kur të takohesh me Profetin a.s dhe ai të të prezantojë me luftëtarët e Bedrit. Imagjinoje çfarë gëzimi dhe lumturie kur t’u thotë për ty:”Ku është një nga ndjekësit e mi, që i ka qëndruar besnik rrugës dhe sunetit tim, në një kohë dhe ambient tejet të vështirë, në një kohë kur të gjithë njerëzit jetonin larg urdhrave të Zotit dhe rrugës së Tij.”

Imagjinoji ato çaste o motër, kur Profeti a.s të të prezantojë me gruan e tij Hadixhen dhe t’i thotë:”Kjo është treguar e qëndrueshme në islam, në një mjedis të vështirë. Ajo veshi hixhabin në një kohë tepër të papërshtatshme, ku e gjithë shoqëria e paragjykonin. Veç kësaj, ajo ka pasur morale dhe sjellje shumë të pëlqyeshme në shoqëri.”

Dashuria dhe lidhjet e Profetit a.s me ne ndjekësit e tij, nuk do të jetë vetëm në botën tjetër. Ato janë të forta dhe forcohen më shumë edhe në këtë botë. Thotë Profeti a.s në një hadith:”Nuk ka burrë apo grua që bie në salavat mbi mua (më përshëndet), Zoti ma kthen shpirtin që t’i kthej përshëndetjen.”

Sipas këtij hadithi, Profeti a.s na e kthen përshëndetjen, madje na përmend dhe emrat tonë: Ahmed, Fatime…

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Për këdo që bie në salavat mbi mua dhe më përshëndet, Zoti cakton një melek që më vjen, më transmeton selamin e tij dhe unë ia kthej selamin.”

Në çastin që ti o vëlla dhe oj motër thoni:”Allahumme sal-li ala Muhamed ve ala ali Muhamed (O Zot përshëndete Muhamedin dhe familjen e tij), Profetit a.s i transmetohet kjo përshëndetje dhe ai ta kthen pëshëndetjen.

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

Një tregues tjetër i lidhjeve tona me Profetin a.s që në këtë botë, është hadithi i Profetit a.s që thotë:”Veprat tuaja më paraqiten ditën e enjte dhe natën e premte. Për veprat e mira që shoh, unë falënderoj Zotin. Kurse për veprat e tjera, e lus Zotin dhe i kërkoj Atij falje për ju.”

Edhe pse shumë prej nesh e kemi harruar Profetin .as dhe nuk e kujtojmë, ai lutet dhe kërkon falje për ne çdo ditë të enjte dhe natë të premte.

Dashuria dhe dhembshuria e tij, konstatohet dhe mishërohet më shumë në komunikimin dhe lidhjet që kishte krijuar me shokët e tij.

Në betejën e Uhudit, Jezid ibnu Seken ra dëshmor. Myslimanët e kishin shtrirë përtokë dhe fytyra e tij ishte përdhe. Kur e pa Profeti a.s thirri:”Jo, jo. Mos e lini fytyrë ne tij të përdhe. Më pas, ai u ul pranë tij, ia mori kokën dhe ia vendosi në prehër dhe duke ngritur sytë drejt qiellit tha:”O Zot! Unë jam dëshmitar që Jezid ibnu Seken e mbajti besën.”

Kur vdiq Dhil Bixhadhejn, Profeti a.s ia hapi varrin vetë dhe në fund i tha Ebu Bekrit dhe Umerit:”Ma jepni vëllain tuaj!” Me ta marrë në krahë, Profeti a.s e përqafoi fort dhe duke qarë e vendosi në varr. Më pas, ngriti duart lart qiellit dhe u lut:”O Zot! Ji dëshmitar që unë jam i kënaqur me Dhil Bixhadhej, prandaj ji i kënaqur dhe Ti o Zot!”

Një ditë, ai ndodhej me Muadh ibnu Xhebel dhe në një çast, ia kap dorën dhe i thotë:”O Muadh! Unë të dua për hatër të Zotit.”

Një ditë tjetër, ai e përqafon Abdullah ibnu Abasin dhe lutet:”O Zot! Jepi dije dhe kuptim mbi çështjet e fesë!”

Kur Zejd ibnu Harithe u kthye nga një udhëtim i gjatë, Profeti a.s i doli para, e përqafoi dhe i tha:”Më mori malli për ty o vëlla.”

Kur Umer ibnul Hattabi u nis një herë për të vizituar Qabenë, Profeti a.s i tha:”Mos më harro në lutjet e tua o vëlla Umer!”

Vallë ku e kishte marrë gjithë këtë dashuri, dhembshuri dhe mëshirë për të tjerët, i dërguari i Zotit?

Këtë mall dhe dhembshuri, Profeti a.s nuk i shprehte vetëm për shokët dhe bashkëkohësit e tij. Një ditë, ai u thotë atyre:”Më ka marrë malli për vëllezërit e mi.”

Të pranishmit e pyesin:”Po a nuk jemi ne vëllezërit e tu o i dërguar i Allahut?!”

Profeti a.s ua kthen:”Jo. Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata njerëz që do të vijnë më vonë, që do më besojnë, edhe pse nuk më kanë parë.”

Duke konstatuar tek ai këto ndjenja, dashuri dhe dhembshuri, edhe shokët e tij u lidhën shumë pas tij dhe e deshën fort. Kjo vihet re sidomos në çaste të vështira, kur jeta e Profetit a.s vihej në rrezik. Një herë, gjatë një beteje, vjen një shigjetë në drejtim të Profetit a.s. Menjëherë, Talha ibnu Ubejdila i del para dhe thotë:”Kraharori im le të jetë mburoja jote o i dërguar i Allahut.”

Pas një beteje, një gruaje myslimane i ishte vrarë i shoqi, babai dhe vëllai. Ndërkohë që myslimanët i tregonin mbi të vrarët e familjes së saj, ajo i pyeste mbi shëndetin e të dërguarit të Zotit. Me të parë që Profeti a.s ishte mirë, tha:”çdo fatkeqësi tjetër përveç humbjes tënde është më e lehtë për t’u përballuar, o i dërguar i Allahut.”

Hasan ibnu Thabit, poeti i Profetit a.s thoshte:”Nderi im, i babait, xhaxhait dhe familjes time, le të jenë mburojë për nderin e të dërguarit të Zotit.”

 

Dashuria e Zotit për Profetin a.s

Për shkak të moraleve të larta që e karakterizonin dhe duke qenë se ishte profeti i fundit, ai ishte nga profetët më të dashur për Zotin e madhëruar. Tregues për këtë është fakti që Zoti i madhëruar e ruajti dhe e mbrojti të pastër fenë e tij. Këtë e ka deklaruar dhe në Kuranin famë lartë ku thotë

“Betohem në yllin kur perëndon, se shoku juaj (Muhamedi a.s), nuk ka humbur e nuk ka devijuar! Ai nuk flet sipas qejfit të vet.” (Nexhm, 1-3)

Ai ia ka mbrojtur shikimin, pasi thotë:” Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën.” (Nexhm, 17)

Kur e keqtrajtonin në Meke, Zoti e qetësonte me fjalët:“Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd se, me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë!” (Tur, 48)

Si pasojë e kësaj dashurie, Zoti i ka dhënë dy nga atributet e tij, i butë dhe i mëshirshëm me besimtarët (Reuf Rahim).

Veç kësaj, Zoti e porosiste çdo profet që dërgonte:”Nëse jeton derisa të shfaqet Profeti i fundit, ta besosh dhe të ndjekësh dispozitat e tij.”

“Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga profetët (dhe u tha):“Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë!  A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?” Ata u përgjigjën: “E pranojmë”. (Allahu) u tha:“Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar.” (Al Imran, 81)

Zoti ia ka shtuar famën dhe ia ka lartësuar emrin profetit Muhamed a.s, gjë të cilën e ka deklaruar dhe në Kuran, ku thotë:”dhe ta ngritëm lart emrin?!” (Inshirah, 4)

Askënd tjetër nuk ka lëvduar, siç ka lëvduar Profetin a.s:”se ti je me virtyte madhore.” (Kalem, 4)

Nëse të gjithë moralet dhe vlerat njerëzore të bashkoheshin, ato të profetit Muhamed a.s do të ishin më të larta dhe madhore.

Për ata që i kundërshtojnë porositë dhe dispozitat e Profetit a.s, Zoti paralajmëron dhe thotë:”Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” (Nur, 63)

Ata që deklarojnë se e duan Zotin, u kërkohet që të ndjekin rrugën dhe traditën e Profetit a.s. Thotë Zoti në Kuran:”Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (Al Imran, 31)

Ardhjen e profetit Muhamed a.s, Zoti e paraqet si dhuratën më të madhe për njerëzimin. Thotë Zoti në Kuran:”Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i

pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Al Imran, 164)

Kurrë nuk do e harroj një vizitë që kemi bërë në Medine. Pasi arritëm në këtë qytet të bekuar dhe u nisëm të vizitojmë xhaminë dhe varrin e Profetit a.s, një i moshuar i verbër, kërkoi prej nesh një kuti parfum. Kur e pyetëm përse e donte, ai tha:”Sepse po shkoj të vizitoj të dërguarin e Zotit dhe dua të jem i parfumosur.”

Një herë tjetër, isha kujdestar i një grupi të rinjsh gjatë vizitës në vendet e shenjta. Kur arritëm në xhaminë e Profetit a.s, pashë dy të rinj që po haheshin me fjalë. Unë u thashë:”Është mirë që gjatë vizitës së xhamisë së Profetit a.s dhe Medines, të mos merremi me zënka dhe fjalë.” Në çast, njëri nga të rinjtë u ngri dhe u largua me vrap. Pasi u kthye e pyeta mbi arsyen që u largua dhe ai më tha:”U ndërgjegjësova mbi gabimin që bëra dhe nuk dija nga të shkoj nga turpi që më vinte prej të dërguarit të Zotit.”

 

Momentet e vdekjes së Profetit a.s

Momentet e vdekjes së Profetit a.s janë shumë prekëse dhe veç e shtojnë dashurinë për të. Në këto çaste, ne e shohim të mishëruar ajetin që kemi përmendur më sipër:“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

Vitin që vdiq, Profeti a.s ishte gjashtëdhjetë e tre vjeç. Tashmë ndihej i lodhur dhe i rraskapitur nga sakrificat dhe lodhja gjatë komunikimit të mesazhit hyjnor tek mbarë njerëzimi. Për shkak të lodhjes fizike, ai e kishte të vështirë t’i falë nafilet në këmbë, prandaj falej ulur. Kur dikush e pa duke u falur ulur, e pyeti:”O i dërguar i Allahut! A po falesh ulur?!”

Profeti a.s iu përgjigj:”Po. Jam lodhur tashmë nga shqetësimi që kam pasur për njerëzimin.”

Umeri hyri dhe duke dalluar thinjat në kokën e Profetit a.s, i tha:”Je thinjur o i dërguar i Allahut.”

Profeti a.s ia ktheu:”Po. Më ka thinjur surja Hud, veçanërisht ajeti:”Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.” (Hud, 112)

Para se të vdesë, Profeti a.s kreu dhe Haxhin, i cili mbahet mend si Haxhi i lamtumirës. Gjatë Haxhit, ai u thoshte njerëzve:”O njerëz! Mësojini prej meje ritet e Haxhit sepse ndoshta nuk do të shihemi bashkë pas këtij viti.”

Më pas, Profetit a.s iu shpall ajeti:”Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 3)

Kur e dëgjuan këtë ajet, të gjithë myslimanët u gëzuan, përveç Ebu Bekrit i cili filloi të qajë. Kur e pyetën mbi shkakun, ai u tha:”Sepse misioni i të dërguarit të Zotit tashmë ka përfunduar dhe e pret vdekja.”

Pasi Profeti a.s kthehet në Medine, e kaplon sëmundja e vdekjes për trembëdhjetë ditë. Nëntë ditë para se të vdesë, Profetit a.s i shpallet ajeti i fundit nga Kurani. Ky ajet është:” Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (Bekare, 281)

Një ditë më vonë, ai kërkon të vizitojë dëshmorët e Uhudit. Pasi e çojnë atje, Profeti a.s qëndron para varreve të tyre dhe u thotë:”Paqja qoftë mbi ju o dëshmorë të Uhudit. Ju keni vdekur më parë dhe unë në dashtë Zoti do u bashkëngjitëm së shpejti.”

Gjatë kthimit për në Medine, Profeti a.s fillon të qajë. Shoqëruesit e pyesin:”Përse qan o i dërguar i Allahut?

Ai u përgjigjet:”Më ka marrë malli për vëllezërit e mi.”

Të pranishmit e pyesin:”Po a nuk jemi ne vëllezërit e tu o i dërguar i Allahut?!”

Profeti a.s ua kthen:”Jo. Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata njerëz që do të vijnë më vonë, që do më besojnë, edhe pse nuk më kanë parë.”

Ditën kur sëmundja iu rëndua, ndodhej në dhomën e Mejmunes. Ai i mblodhi gratë e tij dhe u tha:”A më lejoni që kujdesi të më bëhet në dhomën e Aishes?”

Pasi e lejojnë, Aliu dhe Fadl ibnu Abasi e mbajnë për krahësh dhe e çojnë tek dhoma e Aishes. Ndërkohë, myslimanët ishin grumbulluar të shqetësuar në xhami. Herë pas here, Profeti a.s fshinte djersët nga balli dhe thoshte:”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Dhimbjet e vdekjes qenkan të rënda.”

Duke dëgjuar zërat e myslimanëve në xhami, Profeti a.s pyeti:”Çfarë janë këto zëra?”

Të pranishmit i thanë:”Myslimanët janë grumbulluar në xhami, pasi janë shqetësuar për shëndetin tënd.”

Ai u tha:”Më çoni në xhami!”

Me ta çuar në xhami, Profeti a.s fillon të flasë fjalët e fundit të cilat ua drejton shokëve dhe myslimanëve.

“O njerëz! Më thanë që jeni të shqetësuar për mua.”

“Po o i dërguar i Zotit” iu përgjigjën.

Profeti a.s u tha:”O njerëz! Vendtakimi me ju, nuk është në këtë botë. Vendtakimi me ju është tek Hauzi.. Për Zotin, unë sikur e shoh me sy. O njerëz! Për Zotin, nuk shqetësohem që do të jetoni në varfëri, por jam i shqetësuar se do turreni pas të mirave të kësaj bote, ashtu siç u turrën ata që kanë qenë para jush, dhe t’ju shkatërrojë ashtu siç i shkatërroi ata. O njerëz! Pashi Zotin, silluni mirë me gratë tuaja! O njerëz! Pashi Zotin mos e humbisni namazin! Pashi Zotin mos e humbisni namazin! O njerëz! Nëse kam goditur ndonjë prej jush në shpinë, ja ku është shpina ime, le të hakmerret. Nëse dikujt i kam marrë pasuri, ja ku e ka pasurinë time, le ta marrrë. Kë kam prekur në nderin dhe dinjitetin e tij, ja ku e ka nderin dhe dinjitetin tim, le të hakmerret. Kjo, pasi unë dua të jem i pastër kur të takohem me Zotin. Askush të mos ketë frikë se e marr mëri, pasi kjo nuk është në natyrën time. Një njeri, mes kësaj bote dhe takimit me Zotin, ka zgjedhur takimin me Zotin. O njerëz!”

Askush nuk e kuptoi se kush ishte ky njeri, përveç Ebu Bekrit që menjëherë filloi të qajë me të madhe në xhami, saqë nuk mbahej dot. Më pas u çua në këmbë dhe duke iu drejtuar Profetit a.s i tha:”Sakrifikoj babanë për ty, sakrifikoj nënën për ty, sakrifikoj familjen për ty, sakrifikoj pasurinë për ty dhe sakrifikoj gjithçka që kam për ty.”

Kurrë më parë nuk e kishin bërë zakon që ta ndërpresin Profetin a.s teksa fliste. Kështu e panë me inat Ebu Bekrin. Por Profeti a.s u tha:”O njerëz! Lëreni të qetë Ebu Bekrin! Çdo njëri prej jush që më ka bërë një të mirë, ia kam shpërblyer. Përveç Ebu Bekrin, të cilin nuk kam mundur ta shpërblej. Prandaj shpërblimin e tij, ia kam lënë në dorë Zotit. Të gjitha dyert që të çojnë në xhami do të mbyllen, përveç derës së Ebu Bekrit.”

Më pas u tha:”Zoti ju mbroftë! Zoti u ndihmoftë! Zoti u ruajt! Zoti u dhashtë përkrahje! Zoti ua shtoftë vlerat! O njerëz! U çoni selam (përshëndetje) të gjithë njerëzve të umetit tim, që do ndjekin rrugën time, deri në ditën e Kiametit!”

Pasi tha këto fjalë, Profeti a.s zbriti nga minberi dhe u kthye në shtëpinë e Aishes.

Tregon Aisheja:”Hyri Xhibrili a.s dhe i tha:”Esselamu alejkum (paqa qoftë me ty) o i dërguar i Zotit”

Profeti a.s iu përgjigj:”Ve alejkes selamu” (edhe mbi ty qoftë paqa).

Xhibrili a.s i tha:”Me mua ka ardhur dhe meleku i vdekjes, që kërkon leje për të hyrë. Kurrë nuk do i kërkojë leje tjetër kujt, pas teje.”

Profeti a.s i thotë:”Lejoje të hyjë o Xhibril!”

Pasi hyri meleku i vdekjes i thotë Profetit a.s:”Më ka dërguar Zoti që të zgjedhësh mes përjetësisë në këtë botë dhe mes takimit të Zotit.”

Profeti a.s, duke e mbajtur kokën në kraharorin e Aishes, ngriti lart gishtin tregues dhe tha:”Zgjedh shoqërinë e të Lartit, zgjedh shoqërinë e të Lartit.”

Aisheja i kupton pyetjet e Xhibrilit a.s nga konteksti i përgjigjeve të Profetit a.s.

Tregon Aisheja:”Atëherë e kuptova që po e lënë të zgjedhë.”

Më pas, meleku i vdekjes, qëndroi tek koka e Profetit a.s dhe i tha:”O shpirt i mirë, shpirt i Muhamedit birit të Abdullahut! Dil për tek kënaqësia e Zotit. Zot që është i kënaqur dhe jo i zemëruar me ty.”

Tregon Aisheja:”Profetit a.s i ra dora përtokë dhe iu rëndua koka në kraharorin tim. Atëherë e kuptova që vdiq, por nuk dija se çfarë të bëja. U ngrita dhe hapa derën që të çon për në xhami. Të gjithë njerëzit në xhami, më panë me habi.- pasi ishte hera e parë që nga ajo derë dilte një grua dhe jo Profeti a.s – Unë u thirra:”Vdiq i dërguari i Zotit. Vdiq i dërguari i Zotit.” E gjithë xhamia shpërtheu në të qara dhe nuk dinin çfarë të bëjnë.”

Vdiq i dërguari i Zotit dhe u varros si gjithë të tjerët.

Pasi e varrosën, vajza e Profetit a.s Fatimeja thirri Enes ibnu Malik dhe i tha:”O Enes, si pranuat vallë ta mbuloni të dërguarin e Zotit me dhe?”

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)

“I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëritjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre.” (Ahzab, 6)

Nëse gratë e tij janë nënat tona, atëherë vetë Profeti a.s është si prindërit tanë. Këtë e pohon vetë ai ku thotë në një hadith:”Unë jam si prindi juaj.”

Ne e kemi detyrë që ta përmendim sa më shpesh të dërguarin e Zotit, t’i çojme selame – sidomos ditën e premte – të këshillojmë të tjerët ta përmendin dhe t’i çojnë selam me anë të msn-ve dhe emaileve, të ndjekim sunetin e tij, moralet dhe adhurimin.

Në fund, e lusim Zotin të na ndihmojë që të ecim në gjurmët e profetit Muhamed a.s! Amin!

Amer Halid