Të Fundit
A po e ndjekim Pejgamberin alejhis-selam?

A po e ndjekim Pejgamberin alejhis-selam?

Të dashur vëllezër, xhemat të nderuar

Allahu i Plotfuqishëm e dërgoi Muhamedin (savs), si pejgamber për mbarë njerëzimin. Për të varfër dhe të pasur, për të famshëm e jo të famshëm, për arabët dhe joarabët, për të bardhët dhe të zitë, për të fortët dhe të dobëtit. E dërgoi i Gjithëmëshirshmi si mëshirë për botët. E dërgoi si vulë e të gjithë pejgamberëve. E dërgoi për të sjellë lajme të mira, por edhe paralajmërime. E dërgoi atë si dritë që shndrit.

Në një kohë kur njerëzit po e humbasin busullën e tyre në një det të pafund të ideologjive dhe besimeve të ndryshme, të ideve dhe drejtimeve, të qëndrimeve dhe mendimeve, njeriu ka nevojë për model, njeriu ka nevojë për një njeri. Ka nevojë për një njeri të cilin do ta ndjekë në udhëtimin e kësaj bote. Një njeri i cili nuk kufizohet me shfaqjen dhe këshillat e tij vetëm në këtë jetë, një njeri i cili ofron të mira për të dy botët.

Njeriu të cilin duhet ta ndjekim dhe të cilin duhet ta marrim si model është Muhamedi (savs).

Allahu i Lartësuar, na flet neve besimtarëve në suren el-Ahzab, duke thënë:

لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيرًا (21)

“Ju, me të vërtetë, Pejgamberin e Allahut e keni shembull të mrekullueshëm, për atë që i druan Allahut dhe Ditës së Kiametit, dhe i cili e përmend shumë Allahun.” (el-Ahzab, 21)

Vëllezër të dashur,

Në ndjekjen e Pejgamberit (savs) është çelësi i suksesit në të dy botët. Në devijimin nga rruga dhe nga Suneti i Pejgamberit (savs) është çelësi për shkatërrimin në të dy botët. Njeriu që beson në Allahun, ai e ndjek Pejgamberin. Kush e ndjek Pejgamberin, ai është besimtar i vërtetë. Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Kush i bindet Pejgamberit, ai iu ka bind Allahut. E, kush zmbrapset (mos u brengos), se Na nuk të kemi dërguar ty që të jesh rojtar i tyre.” (en-Nisa, 80)

Dhe thotë i Plotfuqishmi:

“E, nëse i përuleni atij, do të jeni në rrugën e drejtë; – e Pejgamberi vetëm është i detyruar që t’ju shpallë qartazi.” (en-Nur, 54)

Kush i bindet të Dërguarit, kush e ndjek atë ai është i udhëzuar. Kush e ndjek Pejgamberin, ai është në rrugën e vetme të drejtë.

Vëllezër, ne që jemi mbledhur sot këtu, a po e ndjekim Pejgamberin?

Përgjigjen për këtë pyetje shumë të rëndësishme do të përpiqemi ta japim në hutben e sotme.

Ëmbëlsia e jetës

Njeriu i sotëm ka mundësi të mëdha. Ne kemi një numër të mundësive dhe begative për të cilat brezat e mëparshëm as nuk kanë mundur të imagjinojnë. Sot është shumë thjesht që vetëm me një klikim të mausit të lidhemi me tërë botën – Interneti na i ka hapur dyert e botës.

Sot, me teknologji moderne, njeriu me prekje të ekranit të telefonit të tij të mençur i paguan faturat, i kontrakton bizneset, lidh miqësi dhe shkëmben informata.

Sot, me mjete transporti shumë shpejtë udhëtohet nga njëra anë në anën tjetër të shtetit, madje edhe të Tokës.

Ne po jetojmë në kohën kur një numër të begative e kemi në pëllëmbë të dorës. Njeriu sot e ndjen bukurinë dhe ëmbëlsinë e jetës në një shtëpi të madhe të rregulluar dhe të pajisur. Bukurinë e jetës e ka edhe në një telefon sa më të ri. Bukurinë e jetës e kemi në një sfond sa më të mirë financiar. Pa këto gjëra ne as nuk mund ta imagjinojmë që të jemi të lumtur dhe të kënaqur. Jeta jonë sot sillet rreth biznesit, financave dhe kënaqësisë.

Vëllezër, në çka ishte ëmbëlsia, gëzimi dhe bukuria e jetës së Pejgamberit?

Ëmbëlsia dhe bukuria e jetës së Pejgamberit  ishte në namaz. Pasi që ishte nga një familje e respektuar dhe e pasur, ka mundur të jetë edhe në pasuri, por jo, nuk ishte. Pasi që ishte udhëheqës shteti, ka mundur të jetë edhe në pushtet, por jo, nuk ishte. Lumturia dhe bukuria e jetës së tij ishte në namaz, përkatësisht, në bindje ndaj Allahut.

Pejgamberi (savs) në namaz ka pushuar. Në namaz e ka ndjerë ëmbëlsinë dhe bukurinë e jetës. Ai ka thënë:

“Ëmbëlsia, relaksimi im dhe kënaqësia ime janë në namaz.” (Sunen En-Nesai, nr. 3940)

O i Dërguari i Allahut, ne, sot të tubuar këtu në ty besojmë, por për fat të keq, gjithnjë e më shumë, namazin e kemi vetëm detyrim, e kurrsesi jo kënaqësi dhe pushim, dhashtë Zoti e mos të ishte ashtu!

Ne, o Pejgamber i Zotit, relaksohemi dhe pushojmë me gjëra tjera jo me namaz.

Karakteri dhe morali

Karakteri është tipar shumë i rëndësishëm i çdo njeriu. Ai i cili nuk ka karakter dhe moral, ai nuk di si të sillet. Jeta e tij nuk ka as kufij as rregulla. Pejgamberi (savs) ka qenë personi me moral më të plotë, me sjellje më të mirë. Sjellja e tij dhe karakteri i tij ka qenë Kurani. Allahu i Plotfuqishëm e ka përshkruar të Dërguarin e Tij në këtë mënyrë:

“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!” (el-Kalem, 4)

Misioni i Pejgamberit (savs) ishte që edhe tek njerëzit ta ndërtojë moralin, ahlakun, karakterin dhe sjelljen e bukur. Ai ka thënë:

“Me të vërtetë unë jam dërguar për ta plotësuar moralin fisnik.” (Buhariu, Edebul mufred, nr. 273, Imam Ahmedi në Musned, nr. 8952.)

Allahu e ka dërguar për ta plotësuar tek njerëzit moralin e bukur dhe sjelljet.

Pyetja numër dy në hutben e sotme është:

Çfarë është karakteri ynë, morali dhe sjelljet, dhe ne sa bëjmë përpjekje për ndërtimin e moralit, karakterit dhe sjelljeve tona?

A bëjmë përpjekje ne që mangësitë tona t’i përmirësojmë, që sjelljet tona t’i përputhim me rregullat e fesë sonë?

O i Dërguari i Allahut, ne e dimë se ti i kishe sjelljet më të bukura, kurse sot, ne që besojmë në ty, jemi gjithnjë e më larg nga sjellja e mirë. Njëri me tjetrin nuk sillemi mirë, madje përkundrazi, gjithnjë e më shumë jemi kundër njëri-tjetrit. Ne nuk e kontrollojmë veten, ne e fyejmë dhe e gënjejmë njëri-tjetrin. O i Dërguari i Allahut, ti kurrë nuk e ke bërë këtë, kurse ne, për fat të keq, po e bëjmë. Ne që besojmë dhe mendojmë se po të ndjekim ty.

Besimtarë të plotë

Pejgamberi (savs) ju dëshiron njerëzve vetëm të mirën. Ai dëshiron që ata të bëhen besimtarë të plotë dhe shembullorë. Misioni i Pejgamberit (savs) ka qenë që njerëzit t’i përmirësojë, dhe t’i forcojë. Misioni i tij ka qenë që njerëzit t’i ndryshonte nga e keqja në të mirë.

Djali i xhaxhait të Pejgamberit, Xhafer ibn Ebu Talibi (r.a.) mbretit abisinas ia paraqiti veten e tij dhe një grup të sahabëve me fjalët e mëposhtme:

“Gjatë adhurimit tonë ndaj Allahut ne i përdornim idhujt; ne hanim mishin që nuk ishte i therur në mënyrë të drejtë; ne nuk i respektonim të drejtat e fqinjëve tanë; i fuqishmi filloi të sundojë të dobëtin. Ne bënim gjëra të tmerrshme, për të cilat nuk mund të marr guxim të flas. Kjo ishte jeta jonë, derisa Allahu në mesin tonë dërgoi të Dërguarin e Tij, një kushëririn tonë, të cilin çdo herë e kemi njohur si gojëmbël, të pafajshëm dhe të besueshëm. Ai kërkoi nga ne që të adhurojmë vetëm Allahun dhe të heqim dorë nga traditat e këqija të paraardhësve tanë. Ai kërkoi nga ne që ta duam të vërtetën dhe të jemi besimtarë, t’i çmojmë dhe t’i duam fqinjët tanë, t’i nderojmë familjet tona dhe të mos bëjmë punë të këqija dhe zënka të kota. Ai kërkoi nga ne që të kujdesemi për bonjakët. Ai na urdhëroi që të mos shpifim ose të flasim keq për gratë apo për burrat. Ai na urdhëroi që të adhurojmë vetëm Allahun e të mos adhurojmë askënd e asgjë tjetër, përveç Tij. Ai na urdhëroi që të falemi, të japim sadaka dhe të agjërojmë. Ne besojmë se ai ka të drejtë, prandaj dhe e ndjekim dhe veprojmë ashtu siç na urdhëron ai.” (El-Kamil fit-tarihi,1/677, Fikhus-sireti El-Gazali, 1/122, Musnedi i Imam Ahmedit, 1740.)

Vëllezër të nderuar, kur flasim, Pejgamberi (savs), na ka urdhëruar që të flasim drejtë, domethënë, të jemi të sinqertë dhe ta flasim vetëm të vërtetën – a jemi të tillë?

Të dashur vëllezër, kur marrim ndonjë detyrim apo amanet, domethënë kur ia japim fjalën tonë dikujt, Pejgamberi (savs), na ka urdhëruar që atë amanet ta përmbushim – a jemi të tillë?

Vëllezër të nderuar, Pejgamberi (savs) na ka urdhëruar që t’i mbajmë lidhjet familjare, madje edhe kur të afërmit përpiqen t’i ndërprejnë ato lidhje, ne duhet të jemi ata që i ruajmë lidhjet familjare – a jemi të tillë? A i mbrojmë dhe i mbajmë lidhjet familjare?

Të dashur vëllezër, Pejgamberi (savs) na ka urdhëruar që të sillemi mirë me fqinjët tanë, çfarë lloj i fqinjëve jemi ne?

Vëllezër të nderuar, Pejgamberi (savs) na ka ndaluar shthurjen, imoralitetin dhe gjithçka që është e keqe – a po ju shmangemi ne këtyre?

Të dashur vëllezër, Pejgamberi (savs) na urdhëron namazin, agjërimin dhe ibadetet tjera – a po i kryejmë ne ato?

Së fundi, po e përfundojmë hutben me katër pyetje të shkurtra:

(1) – Gëzimi dhe bukuria e jetës së Pejgamberit (savs) ishte në namaz, në çka është gëzimi dhe bukuria e jetës sonë në këtë botë?

(2) – Morali dhe karakteri i Pejgamberit (savs) ishin të përsosur, çfarë është morali dhe karakteri ynë?

(3) – Pejgamberi (savs) është larguar nga të gjitha të këqijat dhe ka punuar vetëm mirë, si veprojmë ne dhe nga cilat gjëra largohemi?

(4) – A po e ndjekim Pejgamberin (savs)?

Nëse nuk e ndjekim, nuk mund të jemi në Rrugën e drejtë, nëse nuk e ndjekim, nuk do të korrim sukses.

Prandaj, le ta ndjekim Pejgamberin (savs), dhe do të shohim se do të jemi më të mirë edhe si individë, edhe si xhemat. Një xhemat i cili e ndjek Pejgamberin (savs), është xhemat i vërtetë. Nuk ka xhemat pa e ndjekur rrugën e Pejgamberit (savs).

O Allah, na bëj neve prej atyre që e ndjekin Pejgamberin Tënd, që vetëm Ty të binden dhe vetëm Ty të bëjnë ibadet – amin!

Asmir Bekrić

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)