Të Fundit
A dëshironi që në një ditë të agjëroni dy herë?

A dëshironi që në një ditë të agjëroni dy herë?

/Shpërblimi për organizimin e iftarit për agjëruesin/

Një mundësi e shkëlqyer e cila gjendet para nesh gjatë muajit ramazan është organizimi i iftarit për agjëruesin. Një shumicë nuk janë të vetëdijshëm për faktin, se sa shumë shpërblim ka ai i cili e ushqen agjëruesin dhe i përgatit iftar atij.

I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë:

“Kush e ushqen një agjërues do të ketë të njëjtin shpërblim sikurse agjëruesi, por agjëruesit nuk i zvogëlohet aspak shpërblimi.” (Tirmidhi dhe Ibni Maxhe..)

Mëshira e Allahut ndaj nesh është aq e madhe, sa që nuk është kusht për ta fituar këtë shpërblim, që ta ushqejmë dikë që është i varfër dhe në nevojë, por hadithi është i karakterit të përgjithshëm. Që do të thotë, se kush i përgatit dikujt iftar, edhe nëse ai është një i afërt i tij, do të ketë shpërblimin sikur të agjëruesit, dhe kjo nuk do ta zvogëlojë shpërblimin e agjëruesit të ushqyer.

Disa dijetarë janë të mendimit se, edhe njeriu i cili i jep vetëm një hurmë ose një gotë ujë agjëruesit, do të përfshihet në shpërblimin e deklaruar në këtë hadith. Këtë pikëpamje dhe këtë kuptim të hadithit e ka preferuar shejh Uthejmini në komentin e tij të njohur mbi veprën Riadus-salihin.

Kjo është dera e madhe e mirësive në ramazan, dhe me këtë veprim, arrihen edhe shumë përfitime të tjera shoqërore, sepse kur një njeri e fton dikë në iftar, ose vetëm e ushqen agjëruesin, kjo i forcon lidhjet e tyre shoqërore, dhe kështu ajo ka efekt pozitiv edhe në shoqërinë në të cilën jeton.

Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, mos e lejoni veten ta kaloni ramazanin pa ushqyer disa agjërues, në mënyrë që t’i rritni veprat tuaja të mira në ramazan dhe ta fitoni shpërblimin sipas numrit të agjëruesve të ushqyer.

Përkthim: Miftar Ajdini